Vija e hollë e miqësisë mes Thaçit dhe Erdoğanit

by Gentiola Madhi

November 16, 2020

Law

Largimi i Hashim Thaçit gjashtë muaj përpara fundit të mandatit presidencial, për t’u përballur me akuzat për krime lufte të ngritura nga Gjykata Speciale e Hagës, shënon një ndryshim thelbësor në skenën e brendshme politike të Kosovës. Me largimin e tij, një perspektivë e re hapet për liderët politikë të Kosovës në marrëdhënie me Presidentin e Turqisë Erdoğan.

 

Ditët e fundit kanë sjellë zhvillime të rëndësishme për Presidentët e Kosovës dhe Turqisë, por në drejtime krejt të ndryshme. Hashim Thaçi vendosi të japë dorëheqjen nga zyra e tij për t’u përballur si qytetar i thjeshtë me akuzën e ngritur nga Gjykata Speciale për krime të kryera gjatë luftës për pavarësinë nga Serbia. Në të njëjtën kohë, vellai i tij i shpallur, Presidenti Erdoğan, ka qenë i përqendruar tek çeshtje të ndryshme me profil të lartë politik në Nagorno-Karabah, Siri dhe në Mesdheun Lindor. Ndërkohë, mungesa e një reagimi apo mbështetje deklarative nga Erdoğani në favor të Thaçit befasoi analistët.

Miqësia mes Thaçit dhe Erdoğanit

Si protagonist kryesor në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë, Thaçi ka investuar mbi dy dekada në pushtet, në rolin e ministrit, kryeministrit dhe që nga viti 2016 si president i Kosovës. Miqësia e tij e veçantë me udhëheqësin turk është e ditur dhe Thaçi nuk ka humbur asnjë mundësi për t’a deklaruar Erdoğanin “një nga liderët më të fuqishëm të botës dhe mbështetësin më të madh të pavarësisë së Kosovës”.

 

Turqia është një partner strategjik tradicional i Kosovës dhe si anëtare e G20 dhe e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ajo ka siguruar një mbështetje të konsiderueshme në procesin e njohjes së vendit. Erdoğani i ka ofruar një hapësirë të gjerë politike udhëheqjes së Kosovës, dhe Thaçit në veçanti. Ai ishte udhëheqësi i parë me peshë në politikën globale që priti Thaçin në një vizitë zyrtare në cilësinë e presidentit të Kosovës, në vitin 2016.

 

Marrëdhënia personale midis dy udhëheqësve u intensifikua me kalimin e kohës dhe takimet dypalëshe joformale në Stamboll apo Ankara u kthyen në një ritual mes tyre. Këto takime private shërbyen për konsultime dhe vendimmarrje të përbashkëta, duke tejkaluar procedurat e rregullta të administratës shtetërore dhe pa transparencë publike mbi çështjet e diskutuara.

 

Ndërsa tendenca e Erdoğanit drejt një politike të jashtme të personalizuar dhe reduktim të rolit tradicional të trupit diplomatik njihet tashmë, pjesëmarrja e Thaçit në mjedise të tilla u kthye në temë diskutimi në skenën e fragmentuar politike të Kosovës, ku dominonin mendime të kundërta rreth rritjes së rolit dhe ndikimit të Turqisë në vend.

Besnikëria përballë interesave të vendit

Për marrëdhënien e tij të veçantë me Erdoğanin, Thaçit ju desh të paguante një çmim në karrierën e tij politike, përsa i përket kredibilitetit dhe vënies së interesave të vendit pas atyre personale. Ai ishte udhëheqësi i parë që ju dorëzua kërkesave e Erdoğanit për të ekstraduar të dyshuarit si mbështetës së lëvizjes Guleniste, e konsideruar nga Turqia si organizatë terroriste. Presioni i ushtruar nga Turqia ndaj institucioneve të Kosovës rezultoi në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Prishtina, operacion i koordinuar mes autoriteteve turke dhe agjencisë së inteligjencës së Kosovës në mars 2018. Operacioni u mbajt sekret edhe ndaj Kryeministrit të atëhershëm Haradinaj, duke e ekspozuar kështu Kosovën përballë ndikimit turk dhe duke shkelur kushtetutën e vendit. Pas mohimit fillestar të dijenisë për deportimet, Thaçi më pas e justifikoi operacionin mbi bazën e ‘kërcënimit të sigurisë kombëtare’. Vendimi i tij pati pasoja në stabilitetin politik të Kosovës, i cili përfundoi me kërcënime publike të Erdoğanit kundër Kryeministrit Haradinaj.

Emocione apo pragmatizëm?

Marrëdhëniet midis Thaçit dhe Erdoğanit u ndërtuan mbi një rrëfim të personalizuar dhe me nota emocionale. Në publik, ata preferonin të ndanin elemente kujdesi të ndërsjellë dhe vlerësime me karakter familjar, duke përdorur nuanca si ‘vëlla’ apo ‘mik’. Ndërsa Thaçi e ndërtoi rrëfimin e tij për miqësinë me Erdoğanin nëpërmjet shprehjeve publike të mirënjohjes, Erdoğani vet u mbështet tek ‘lidhja e tij e fortë emocionale me Kosovën’.

 

Gjithsesi, studimi i kryer për Institutin e Studimeve të Sigurisë në Pragë tregoi se kjo marrëdhënie emocionale dhe personale mund të mos jetë edhe aq e mirëfilltë sa paraqitet qëllimisht në publik, por është më tepër e bazuar në një qasje të qëllimshme racionale dhe pragmatike.

 

Thaçi ka qenë i vetëdijshëm për përfitimet që i vinin nga miqësia me Erdoğanin për të rritur ndikimit të tij politik dhe veçanërisht në momente kyçe për skenën politike të Kosovës. Një shembull janë vizitat e Erdoğanit në Kosovë gjatë dekadës së kaluar (në 2010 dhe 2013) që u zhvilluan gjatë fushatave elektorale dhe shërbyen si mbështetje për partinë politike të Thaçit.

 

Përsa i përket Erdoğanit, përfshirja e Thaçit në rrethin e tij të ngushtë të miqve i shërbeu për të nxitur imazhin e tij publik si një udhëheqës i fortë në Ballkan. Konsideratat politike të Erdoğanit janë të orientuara kryesisht drejt elektoratit të tij të brendshëm dhe ambicjes personale për t’u portretizuar si një politikan me ndikim në arenën ndërkombëtare.

 

Drejt së ardhmes

Mungesa e një reagimi të Erdoğanit në favor të Thaçit nxorri në dritë natyrën strategjike të miqësisë së tyre. Kosova pritet të ketë zgjedhje të reja vitin e ardhshëm dhe rezultati i tyre do të jetë determinant për zhvillimin e marrëdhënieve me liderin e Turqisë. Sidoqoftë, përtej miqësisë tradicionale që lidh të dy vendet, është e vështirë në këtë fazë të identifikohet një tjetër politikan në Kosovë i gatshëm të vendosi një marrëdhënie të ngjashme me Erdoğanin ashtu siç bëri Thaçi.